
Shën Anastasia ishte nga Roma dhe jetoi rreth shek. III. Prindërit e saj ishin shumë të pasur dhe pas vdekjes së tyre, pasurinë që trashëgoi Anastasia ua shpërndau të varfërve.
Anastasia ishte vetëm 20 vjeçe kur braktisi të gjitha dëshirat tokësore dhe vendosi të ndjekë jetën murgjërore. Në atë kohë nuk ishin krijuar akoma manastiret dhe shumë të reja që dëshironin t’i përkushtoheshin Perëndisë jetonin të gjitha bashkë në një shtëpi brenda qytetit. Aty ato adhuronin Zotin dhe përhapnin besimin e krishterë tek hebrenjtë dhe paganët.
Anastasia i mësoi kanonet e jetës murgjërore nga një grua e urtë dhe besimtare që quhej Sofia. Kaluan shumë vite dhe shenjtorja bënte një jetë me të vërtetë murgjërore por djalli, i cili dëshpërohej nga përparimi shpirtëror i saj, përdorte të gjitha mjetet për të penguar. Ai shpejtoi të përdorte shërbëtorët e tij të cilët kënaqeshin kur mundonin të krishterët.
Kështu tirani i quajtur Provi kur mësoi se Anastasia besonte se Perëndia i vërtetë ishte Krishti, u egërsua dhe urdhëroi që të shkonin në shtëpinë e saj dhe ta merrnin me forcë. Atëherë Sofia duke i dhënë kurajë i thoshte shenjtores: “Rruga e martirizimit do të udhëheqë në parajsë”. Që të martirizohej dikush për Krishtin nuk është vdekje, por lumturi dhe gëzim.
Pas kësaj Provi e urdhëroi që t’i falej idhujve përndryshe ajo do ta pësonte shumë rëndë. Gjithashtu tirani i thoshte shenjtores se për hir të rinisë dhe bukurisë së saj ia vlente që ta mohonte Krishtin. Atëherë Anastasia e vendosur iu përgjigj: “Unë njoh vetëm një rini dhe një bukuri, atë që i jep Krishti shpirtrave besimtarë, të cilët preferojnë vdekjen në vend të të mirave materiale kur ato ofrohen për të tradhtuar Perëndinë”. Pas kësaj përgjigje tirani u egërsua dhe urdhëroi ta torturonin pa mëshirë. Së fundi urdhëroi që t’i pritej koka. Kështu shën Anastasia mori kurorën e paprishur të martirizimit.
Mbrapa
