Shën Agapiti ishte me origjinë nga Kapadokia. Kur ishte i ri, hyri në një manastir që kishte më shumë se një mijë murgj. Si një bletë që shkon nga njëra lule në tjetrën për të marrë nektarin, ai merrte shembullin e mirë të vëllezërve të tjerë në virtyte dhe në përpjekjet asketike, për të ofruar edhe ai mjaltin e ëmbël të përsosmërisë te Zoti. Ai mposhti prirjen natyrore, duke u ushqyer për 30 vjet vetëm me bimë të egra mali dhe për më tepër se 18 ditë hëngri hirin në vend të bukës. Agapiti e mposhti aq shumë gjumin, saqë një orë në ditë pushimi i mjaftonte dhe e kalonte pjesën tjetër të mbetur të natës duke u lutur. Ishte gjithmonë i gatshëm për të përmbushur çdo bindje në jetën murgërore dhe e shikonte veten si shërbëtorin e të gjithë vëllezërve, para të cilëve ulej me nderim të madh, duke i quajtur zotërinjtë e tij. Kështu fitoi dashamirësinë e Perëndisë, admirimin e njerëzve dhe hirin e kryerjes së shumë mrekullive. Vetëm duke bërë shenjën e Kryqit, ngordhi një dragua që terrorizonte njerëzit e krahinës dhe shëroi një vajzë të munduar për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë.

Fama e jetës dhe e virtytit të tij në përpjekjen shpirtërore arriti në veshët e perandorit Licinius (313-324), i cili e mobilizoi në ushtri. Megjithatë shenjtori vazhdoi përpjekjen e tij asketike dhe i trajtonte shokët e ushtrisë si vëllezër manastiri. Vetëm prania e tij ishte e mjaftueshme për të shëruar sëmundjet e njerëzve e të kafshëve, të dëbonte demonët, madje të ngjallte edhe të vdekurit.
Shën Agapiti ishte i pranishëm në betejat e lavdishme të martirëve Viktori, Dorotheu, Theodhuli dhe Agripa, madje u pushtua edhe vetë nga një dëshirë e flaktë për t’u martirizuar, që të mbërrinte në përsosmërinë e kësaj lavdie shpirtërore. Ai u paraqit vetë tek ekzekutuesit e martirëve, të cilët e goditën me heshtë, por Përkujdesja Hyjnore e ruajti të pacenuar për hir të shpëtimit të shumë shpirtrave.

Pas vdekjes së Liciniusit, shën Konstandini i Madh u bë perandor i vetëm. Një nga shërbëtorët e tij, ngaqë ishte i pushtuar nga një frymë e keqe, thërriste vazhdimisht për Agapitin. Perandori dha urdhër që Agapiti të vinte në pallat dhe, sapo shenjtori nisi të lutej, demoni u dëbua prej njeriut. Gjithçka që Agapiti kërkoi si shpërblim ishte ta lironin nga ushtria, që të kthehej në jetën e tij të shtrenjtë të qetësisë. Pasi u kthye në manastir, u hirotonis prift nga episkopi i Sinait (në Lidi, Simavi i sotëm) dhe më vonë, pas vdekjes së këtij të fundit, Agapiti u zgjodh unanimisht nga kleri dhe populli i qytetit si episkop i tyre. Hiri hyjnor, që e kishte lartësuar Agapitin në ofiqin episkopal, tani e bëri një burim të pareshtur mrekullish e profecish. Me anë të lutjes së tij fashiteshin furtunat, binte shi, largoheshin karkaleca e mushkonja dhe dëboheshin demonë. Njëherë, kur donte të ndërtonte një kishë, zhvendosi me lutjen e tij një shkëmb të madh, që i bënte punëtorët të dyshonin për suksesin e veprës së tyre; ndryshoi rrjedhën e një lumi që përmbytte tokat e besimtarëve të një episkopate fqinjë etj. Ai i nxirrte mëkatet e fshehura të të tjerëve në dritë dhe korrigjonte me vendosmëri gabimet e klerit e të popullit. Mëshira e tij ishte e pakufishme për të varfrit, të cilëve ishte gati t’u jepte edhe tunikën e tij të vetme. Ishte mik i ngushtë i shën Parthenit të Lampsakës (7 shkurt), i cili, para hirotonisjes e këshilloi rreth detyrave të episkopit.

Meqenëse shërbeu për shumë vjet si një kujdestar i mirë i Hirit të Perëndisë, shën Agapiti fjeti në Zotin i gëzuar, ndërsa lutej për shpëtimin e grigjës së tij shpirtërore.




Mbrapa

PayPal