Në korin e asketëve të lavdishëm të Sirisë, që përmend Theodhoreti i Kirit në rrëfimet që na ka lënë për murgjit, rreshtoheshin edhe gra të shenjta, të cilat nuk i pengoi në asgjë delikatesa e natyrës së tyre për të rivalizuar engjëjt.

Marana dhe Kira vinin nga familje fisnike të qytetit të Beresë, në Siri. Duke përbuzur të gjitha pasuritë e tyre, ato rrethuan një vend të vogël jashtë qytetit, ku jetonin në qiell të hapur, veshur me rroba të gjata dhe të lidhura me zinxhirë të rëndë. Ato merrnin ushqim nga një portë e vogël, nëpërmjet dritares të së cilës komunikonin me gratë që i vizitonin vetëm në kohën e Pentikostisë.

Shërbëtoret e tyre të vjetra, që vendosën t’i pasonin, jetonin në një shtëpi atje pranë, jashtë rrethimit, dhe shenjtoret i nxisnin të bënin një jetë me lutje dhe mundime asketike. Jetuan më tepër se 40 vjet me këto përpjekje dhe ruajtën po të njëjtin zell të fillimit për kryerjen e betejave shpirtërore. Dhe, duke kundruar qysh në këtë jetë të Shumëdashurin e tyre, që iu zgjaste kurorën e fitores prej qiejve, ato duronin me gëzim vështirësitë e motit, duke u shtuar edhe shumë mundime të krijuara enkas me vullnetin e tyre.

Tri herë qëndruan pa ngrënë 40 ditë, sipas shembullit të Moisiut dhe të Ilias dhe tri herë të tjera imituan profetin Daniel, duke agjëruar tri javë me radhë. Ato shkuan për një pelegrinazh në Jerusalem dhe e bënë udhëtimin e tyre më këmbë, duke kreshmuar (20 ditë ecje më këmbë). Hëngrën pak vetëm kur u falën dhe bënë nderimet e duhura, por kur u kthyen, nuk futën gjë në gojë. Në të njëjtën mënyrë bënë edhe një pelegrinazh tjetër pranë varrit të shën Theklës në Isauri (pranë Seleucisë). Në fund të përpjekjeve të tyre të bëra me trimëri, ato gjetën prehjen pranë Krishtit, Perëndisë, në një datë dhe në rrethana që nuk dihen deri më tani.




Mbrapa

PayPal