ëne të krishterë, Efrosina, e cila, para se të vdiste, i profetizoi se do të provonte vuajtje të gjata e çnjerëzore për Zotin. U birësua nga një grua e shenjtë dhe besimtare me emrin Sofia dhe u rrit me përkushtim, duke u shpërndarë pasuritë e shtëpisë fëmijëve të varfër dhe duke u mësuar themelet e besimit. Që në moshën 12-vjeçare, kreshmonte dhe lutej si murg, prandaj u hirotonis dhjak, më pas prift dhe u ngrit në fronin episkopal, si episkop i qytetit, kur ishte vetëm 20 vjeç. E qeverisi grigjën e tij shpirtërore me shkencë dhe me urtësinë e një të moçmi, duke treguar kujdes të madh për fëmijët e varfër dhe jetimë, shumë nga të cilët i pagëzoi. Kur mësoi për bamirësitë e hierarkut të ri, vikari perandorak i qytetit e arrestoi dhe, pasi e mori në pyetje, urdhëroi ta fshikullonin. Por, meqënëse ai nuk trembej, dhe madje thoshte: “Sa më shumë ta mundosh mishin tim, aq më tepër shpirti im ka dobi”, ia thyen nofullat me gurë, por shenjti ndiente gëzim më të madh akoma kur vuante për Krishtin.

Qeveritari mbeti i pafuqishëm para trimërisë së martirit, prandaj e dërgoi në Romë te perandori Dioklecian. Kur Klementi doli para sovranit të tmerrshëm, ai dha urdhër t’i vendosnin përpara nga njëra anë sende të çmuara dhe nga ana tjetër veglat e torturës. Por, në kundërshtim me atë që priste, shenjti iu përgjigj: “Të gjitha këto enë të çmuara që po më paraqet, më bëjnë të mendoj se të mirat e përjetshme të Parajsës janë edhe më të lavdishme, ndërsa këto vegla torturash më bëjnë që t’i frikësohem edhe më tepër ndëshkimeve të përjetshme në ferr, të cilat janë ruajtur për ata që mohojnë Zotin”.

E vunë në rrotën e torturës dhe ia dogjën mishin me pishtarë të ndezur, por u shërua me mrekulli, duke sjellë shumë paganë në besim, të cilët thirrën: “Po, i madh është Perëndia i të krishterëve!”. Edhe ata u burgosën bashkë me shenjtin. Po atë natë, një engjëll u shfaq duke i sjellë kungatën, dhe shën Klementi arriti të kungohej para ekzekutimit. Më pas, Klementin e torturuan në të gjithë trupin, e kamxhikuan deri në kockë dhe e dogjën me pishtarë, por i duroi sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Atëherë tirani e dërgoi në Nikomedi, duke shpresuar se guvernatori i qytetit do të mund ta nënshtronte. Një nga paganët e konvertuar, që i kishte shpëtuar masakrës, Agathangjeli (engjëlli i mirë), u arratis nga burgu dhe lundroi fshehurazi në të njëjtën anije, me dëshirën për të vuajtur edhe ai për Krishtin. Që nga ai çast, Klementi dhe Agathangjeli mbetën shokë të pandarë në çdo sprovë. Kur nuk i torturonin, ata kreshmonin dhe rrinin zgjuar në lutje, duke u ushqyer me bukë qiellore.

Kur mbërritën në Nikomedi, i nxorën në gjyq dhe i torturuan sërish, pastaj i futën në burg, ku i vizitonin engjëj. Këto shfaqje qiellore sollën shumë të burgosur në besim. I hodhën te bishat, por pa rezultat, i kaluan dhe në heje të skuqura, që ua përshkonin trupin tejpërtej. Populli i pranishëm, duke admiruar qëndresën e tyre me dhimbje, u rebelua kundër tiranit mizor. Ky i nxori martirët nga qyteti dhe i hodhi nga maja e shkëmbit, të mbyllur në thasë; por engjëjt e Perëndisë i ndihmuan dhe ata u kthyen shëndoshë e mirë në qytet, duke shëruar gjatë rrugës të paralizuar dhe të verbër. Qeveritari i Nikomedisë, nga frika se mos populli ngrinte krye, i dërgoi dy ushtarët e Krishtit në Ankira, në atdheun e Klementit, ku pësuan tortura të reja e të frikshme. Meqenëse dolën fitimtarë në këto sprova, u vendos të transferoheshin në Amisa. Por fëmijët e pagëzuar nga Klementi kohë më parë, kërkuan me çdo kusht ta ndiqnin pas. Ushtarët, me vështirësi, arritën t’i shkëpusnin prej shenjtit dhe ua prenë kokat pa mëshirë.

I torturuan përsëri në burg, ku të dy shenjtorët i vizitoi Krishti dhe u shëroi plagët, duke i nxitur të këmbëngulnin deri në fund. Qeveritari i Amisas, Dometiani, njohu pafuqinë e tij, i dërgoi në Tars, te bashkëperandori Maksimian që qeveriste atje. Gjatë rrugës, ata bënë të buronte ujë për të shuar etjen e ushtarëve të suitës, dhe të sëmurët që u afroheshin dhe u preknin plagët, gjenin shërim. Në Tars shpëtuan nga furra e ndezur si djemtë në Babiloni; pastaj, si i tërhoqën zvarrë nëpër qytet, ata ngjallën admirim tek të gjithë dhe shumë paganë u kthyen në besim. Burgosje të reja, gjyqe të reja dhe tortura pa fund, nuk arritën të thyenin atletët e besimit, të cilët mbetën si diamanti që sprovohet nga goditjet dhe zjarri. Këto mundime zgjatën 28 vjet, si dëshmi për Krishtin, ashtu siç ishte paralajmëruar Klementi nëpërmjet një vegimi.

I dërguan në Ankira pas shumë vitesh burgosjeje, i nxorën para tiranit dhe përsëri i torturuan; Agathangjelit i prenë kokën, ndërsa Klementin e futën në një birucë të errët. Ditën e Theofanisë, e ëma që e kishte adoptuar, Sofia, gjeti mënyrën për të hyrë në burg me të krishterë të tjerë. Arritën që ta nxirrnin dhe ta çonin deri në kishë, ku, i veshur me të bardha, celebroi agripninë dhe i kungoi të gjithë para se të kthehej në burg. Disa ditë më vonë, më 23 janar 296, kur shën Klementi po celebronte Blatën e shenjtë në kishë, ushtarët paganë iu sulën papritur dhe ia prenë kokën sipër Tryezës së Shenjtë. Prifti u bë kështu flijim. Të dy dhjakonët që e ndihmonin, u ekzekutuan, ndërsa Sofia e devotshme i varrosi të tre trupat jo larg prej andej, në vendin e quajtur Kripton.




Mbrapa

PayPal