Shën Vavila vinte nga një familje besimtarësh të Antiokisë. Kur i vdiqën prindërit, pasuritë që kishte ua ndau të varfërve dhe jetimëve dhe, në këtë mënyrë, i çliruar nga përkujdesjet e kësaj bote, u largua në male, që të bënte një jetë asketike bashkë me dy nxënësit e tij, Agapin dhe Timotheun. U bë prift dhe më pas shkoi në Romë, ku paganët e etur për gjak kërkuan ta dorëzonin tek autoritetet. U arratis për në Sicili, i ndjekur si gjithnjë nga dy dishepujt e tij besnikë, ku ktheu një numër të madh paganësh me shembullin e virtyteve dhe mësimdhënien e tij të frymëzuar.

Qeveritari i ishullit, kur mësoi për suksesin që kishin pasur tre asketët misionarë, i arrestoi dhe urdhëroi t’i torturonin publikisht, në mënyrë që të frikësoheshin të gjithë ata që ishin tërhequr nga predikimi i tyre. Martirët e shenjtë, të kthyer plotësisht vetëm drejt të mirave të përjetshme, u rezistonin me trimëri torturave, dhe populli, në vend që t’i urrente, filloi t’i admironte. Qeveritari ua preu kokat dhe urdhëroi t’ua hidhnin trupat në zjarr. Meqenëse trupat e tyre mbetën të pacenuar nga zjarri, besimtarët erdhën i morën dhe i varrosën në fshehtësi.




Mbrapa

PayPal