
Ishte nga fshati Magdala, afër Gjenisaretit. Bënte pjesë në grupin e grave që ishin shëruar nga Krishti dhe E ndoqën pas nëpër udhëtimet e Tij për të përhapur Ungjillin, duke i shërbyer Atij nga pasuria e tyre (Mt.27:55-56; Mk.15:40-41). Maria ishte çliruar nga shtatë demonë (Llk.8:1-3; Mk.16:9).
E pranishme në kryqëzimin dhe varrosjen e Jisuit, vërejti me kujdes vendin e Varrit për ta gjetur ditën tjetër, kur, pas pushimit të pashkelur të së shtunës, do të vinte për të lyer me aromë trupin e shenjtë (Mt.27:55-56, 61; Jn.19:25; Mk.15:40-47).
Vazhdimi është disi i paqartë. Sipas të gjitha gjasave, gratë miroprurëse shkonin pranë Varrit në orë të ndryshme, herë veç e veç, herë në grupe të vogla. Maria kishte nderin të shikonte e para të Ngjallurin në të gdhirë të së dielës së parë. E mori për kopshtar derisa i njohu zërin, kur Ai e thirri në emër.
E porositi të përhapte tek apostujt lajmin e mirë të Ngjalljes. Dhe e kreu porosinë dhe kështu u bë apostulle e tyre (Jn.20:1-18; Mk:16.9-10). Gjithashtu, së bashku me gra të tjera, mori edhe një tjetër porosi gjatë Ngjalljes (Mt.28:1-11; Mk.16:1-7; Llk. 24.1-10).
Përputhja e saj me gruan mëkatare që leu me miro këmbët e Zotit (Llk.7:36-50) konsiderohet krejt e pabazë, ashtu si rrëfimi se gjoja ajo shkoi në Romë dhe arriti që të dënohej nga Pilati.
Sipas Sinaksarit, prindërit e saj ishin Siri dhe Eukaristia, zyrtarë dhe të pasur, ndërsa vetë ajo, e bukur, gojëtare dhe mrekullibërëse. Veproi në Francë, Itali, Egjipt, Fenikë, Siri dhe Azi të Vogël. Fjeti në Efes, ku qëndroi me Joan Theologun (26 shtator).
Më 4 maj kremtohet transferimi i lipsaneve të Maria Magdalenës dhe të Llazarit në vitin 890 nga perandori Leon VI (886-912) në Manastirin e Shën Llazarit që kishte ndërtuar në atë kohë. Miroprurësja kremtohet së bashku me gratë e tjera miroprurëse të dielën e tretë të Pashkës.