
Shën Elesa ishte bija e një fisniku pagan të Peloponezit. U rrit në besimin e drejtë nga e ëma. Kur ajo vdiq, Elesa ishte 14 vjeç. I ati donte ta martonte; por ajo nuk pranoi, ngaqë ia kishte kushtuar jetën Krishtit.
Duke përfituar nga mungesa e të atit, shpërndau shumë lëmosha dhe hipi në një anije, në shoqërinë e dy shërbëtoreve të saj. Ato zbritën në ishullin e Kithirës, që ishte i shkretë dhe banohej vetëm nga kafshë të egra. Kur mbërritën aty, shenjtorja ngjalli me lutjet e saj një prej marinarëve, që kishte vdekur nga kafshimi i një gjarpri.
Kur i ati u kthye në shtëpi dhe zbuloi për ikjen e Elesës, u nis ta kërkonte, i tërbuar, me qëllimin për ta vrarë. Gjeti kapitenin e anijes dhe e detyroi ta çonte atje ku ndodhej e bija.
Pas kërkimesh të ethshme, më në fund e gjeti pranë një mali të lartë, në jug të Kithirës. Në fillim u përpoq ta bindte me anë të lotëve e përgjërimeve. Kur pa se nuk pranonte të kthehej, duke preferuar më mirë të jetonte me kafshët e egra se sa në një vend me idhujtarët, i tërbuar nga inati ai e kapi për flokësh, e tërhoqi përtokë dhe e goditi fort, ndërsa ajo thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua!”. Pastaj ai e vari për flokësh në një pemë dhe e torturoi deri sa vdiq. Sapo ai e uli trupin përtokë, shenjtorja u ngjall përsëri dhe u largua së andejmi. Një shkëmb u hap nën këmbët e saj dhe e lejoi të kalonte në shpatin tjetër të malit. Xhelati arriti ta kapë përsëri, i theu nofullën me një gur dhe pastaj i preu kokën (375). Një prej shërbëtoreve të shën Elesës, që ishte tërhequr në një vend të shkretë për t’u lutur, erdhi atje pas largimit të atit vrasës. Ajo e varrosi trupin me devocion dhe gjatë dyzet ditëve që pasuan, u dëgjuan aty melodi engjëllore. Në vazhdim të krishterët, që kishin dëgjuar me admirim të madh tregimin e martirizimit të saj, shkuan në Kithira dhe mbi varrin e shenjtores ndërtuan një kishë të vogël, që u kthye në një burim mrekullish. Shën Elesa u nderua në vazhdim si mbrojtësja e ishullit.
Mbrapa
