Në kohën e shën Konstandinit të Madh, një njeri i shenjtë i quajtur Abaros, shkoi në vendet e Mesopotamisë për t’i predikuar bashkëpatriotëve Lajmin e Mirë. Takoi një djalë të ri të quajtur Domet, që i ishte përkushtuar studimit të fesë, dhe e këshilloi të hiqte dorë nga idhujtaria, për të njohur të vërtetën. Dometi e përqafoi menjëherë besimin e vërtetë, që e kishte kërkuar për shumë vite. U përpoq të kthente në besim edhe prindërit, por nuk ia arriti. Sapo mbërriti në moshën e pjekurisë braktisi vendlindjen dhe shkoi në qytetin e Nisivës, në kufijtë e perandorisë romake dhe perse, ku u pagëzua.

Hyri në një manastir dhe iu kushtua studimit të Shkrimit të Shenjtë. Fjala e Perëndisë u bë për të ushqim, aq sa harronte të shkonte në mensë me murgjit e tjerë, të cilët dyshonin për sjelljen e tij dhe nisën të ushqejnë ndjenja xhelozie dhe përbuzjeje. Dometi pati frikë se mos kthehej në shkak skandali e ndarjeje, ndaj iku natën nga manastiri. Në rrugë e sipër e sulmoi një tufë ujqërish, prej të cilëve e shpëtoi Perëndia dhe vazhdoi nëpër rrugën romake, që përshkonte shkretëtirën e Sirisë. Ai iu bashkua një grupi të krishterësh që shkonin në Theodhosopolis. U betua se nuk do të hante ushqim derisa të gjente një komunitet murgëror, ndaj nuk qëndronte me shokët e udhëtimit kur ata hanin, saqë këta të fundit dyshuan për të, por u shpjegoi arsyen dhe ata i thanë se do ta çonin në manastirin e shën Sergjit.

Kur mbërritën në afërsi të qytetit, ndërsa kishë rënë nata, një njeri në dukje i devotshëm u shfaq tek ata dhe u tha se do t’i mikpriste. Ndërsa po i çonte në një vend të egër dhe plot me gremina, Dometi dalloi se i panjohui ishte shërbëtor i djallit, dhe e dëboi me lutje. I luti shokët të mos flisnin me asnjë për këtë ngjarje, sepse ata donin t’ua thoshin mrekullinë edhe të tjerëve.

Shkuan pa humbur kohë në manastirin e shën Sergjit, ku u mikpritën nga arkimandriti Nubel, njeri i nderuar, i cili prej 65 vitesh nuk kishte provuar ushqim të gatuar dhe nuk ishte shtrirë dhe as kishte fjetur i ulur, por flinte në këmbë, i mbështetur mbi shkopin e tij. Gjatë këtij takimi Dometi heshti, duke vështruar me admirim njeriun e Perëndisë. Nubeli dalloi se ai ishte dërguar nga Perëndia dhe i kërkoi të futej në komunitetin e tij. Shën Dometi përparoi shumë shpejt në të gjitha virtytet, duke ndjekur mësimin e atit të tij shpirtëror. Ishte shumë i përqendruar, duke parë tek çmimi që Perëndia u ka rezervuar në qiell atyre që e duan (shih Fil.3:13).




Mbrapa

PayPal