
Këta apostuj të shenjtë bënin pjesë në radhën e Shtatëdhjetë Dishepujve.
Shën Sila ishte njeri i shquar i Kishës së Jerusalemit, dhe dallohej për dhuntinë profetike. U dërgua nga apostujt Pavël dhe Varnava për të forcuar të krishterët e Antiokisë (Vep. 15,22,27,32). Kur Pavli ndërmori udhëtimin e dytë misionar (50-52), mori Silën si shoqërues (Vep. 15.40). Shkuan në Siri, Kiliki, Likaoni, Frigji, Galati dhe Mesi, para se të arrinin në Troas. Prej andej shkuan në Maqedoni, Silën e nxorën para gjyqit dhe e burgosën me Pavlin; por kur mësuan se të dy ishin qytetarë romakë, dhe i liruan duke iu kërkuar të falur (16,37). Pastaj shkuan të shpallnin Lajmin e Mirë në Selanik dhe në Veria, ku Sila qëndroi me shën Timotheun, për të forcuan në besim të sapokthyerit, ndërsa Pavli e vazhdoi udhëtimin e tij në Athinë. Që të tre u takuan në Korinth, ku predikuan Krishtin Jisu, Birin e Perëndisë (II Kor. 1,19). Tradita kishtare tregon se ai u bë episkop i Korinthit, ku filloi të zbatonte porositë që përmbanin Letrat e shën Pavlit për të korrigjuar të korintasit. Punoi dhe luftoi shumë në këtë detyrë derisa dha shpirtin te Perëndia.
Shën Silvani thuhet se u bë episkop i Selanikut. Hasi shumë vështirësi e rreziqe për çështjen e besimit, pasi banorët e Selanikut ishin të mençur në sofizmat dhe shtrembërimin e gjuhës. Pasi kreu luftën e mirë, fjeti në paqe.
Apostulli i shenjtë Epeneti përmendet nga shën Pavli si “fryti i parë i Azisë” (Rom. 16.5), d.m.th. në krahinën e Efesit. Tradita kishtare tregon se u bë episkop i Kartagjenës dhe hoqi sprova e mundime nga ana e paganëve që banonin në atë zonë. Durimi dhe fjala e tij e zjarrtë bënë të mundur ardhjen në besim të shumë njerëzve. Fjeti në paqe pasi kreu denjësisht misionin që Perëndia i kishte caktuar.
Shën Kriski ose Kreshenti ishte dishepull i shën Pavlit dhe përmendet prej tij si i dërguar në Galati (II Tim. 4.10). Thuhet se u bë episkop i Kalqedonisë, dhe tregoi dritën e së Vërtetës te shumë paganë që jetonin në errësirë. Çliroi rrëmbeu shumë shpirtra nga humbja duke iu mësuar besimin dhe sjelljen engjëllore, dhe fjeti në paqe me Zotin.

Mbrapa
