Në kohën që Licini mbretëronte në perandorinë e Lindjes (307-321), në Nikomedi, fama e virtyteve dhe urtësia baritore e episkopit të shenjtë të Neoqesarisë, Pavlit, mbërritën në veshët e këtij tirani dhe shtypësi të të krishterëve. Ai e thirri në oborrin e tij dhe u përpoq si fillim ta trembte me kërcënime, pastaj dha urdhër që ta fshikullonin. Por prelati i shenjtë tregoi durim të madh, dashuri dhe mëshirë për persekutorët e tij. Perandori urdhëroi pastaj të shkrihej një masë e madhe metali dhe të fusnin në të duart e shenjtorit. Nën nxehtësinë e tmerrshme, duart e shenjtorit u shkrinë dhe mishi lëshoi një erë të rëndë; më pas atleti nuk i përdorte më duart. U internua në një fortesë që ndodhej në brigjet e lumit Eufrat.

Kur shën Konstandini i Madh që erdhi nga Perëndimi, ia mori perandorinë e Lindjes Licinit (324) dhe urdhëroi pushimin e përndjekjeve kundër të krishterëve, të burgosurit u liruan dhe kështu shën Pavli arriti të kthehej në atdheun e tij. Shenjtori nisi të shkëlqente në kandilerin e Kishës së Neoqesarisë dhe, në vitin që pasoi, u thirr bashkë me episkopët e tjerë në gjithë perandorinë, për Sinodin e shenjtë dhe të madh Ekumenik të Nikesë.

Midis 318 Etërve të shenjtë orthodhoksë që mundën të shkonin të thirrur nga perandori në Bitini, të shumtë ishin ata që mbanin, si apostull Pavli dhe homonimi i tij, episkopi i Neoqesarisë, shenjat e Pësimit të Krishtit (Gal. 6:17). Dhe ia tregonin njëri-tjetrit, si zbukurime të vyera dhe tituj lavdie: disa kishin hundën të prerë, disa veshët, ndonjë nuk kishte sy, kishte nga ata që u qenë prerë ndonjë prej gjymtyrëve kur i kishin torturuar egërsisht ose i kishin duruar me heroizëm djegiet, siç ishte rasti i Pavlit. Ata dhanë dëshminë e dashurisë për Shpëtimtarin në vetë trupin e tyre dhe hodhën poshtë me autoritet doktrinat e pabesa të Ariosit, që mohonte hyjninë e Zotit tonë Jisu Krisht. Në njërën nga seancat e Sinodit, perandori Konstandin mori duart e pajeta të shën Pavlit në duart e tij, i vendosi në sytë e vet dhe i puthi me nderim si lipsane të shenjta, duke thënë: “Nuk ngopem së puthuri këto duar që janë bërë të pajeta dhe janë shkatërruar për Krishtin tim”. Kur u kthye në episkopatën e tij, pas triumfit të Orthodhoksisë, shën Pavli shkëlqeu edhe për disa vjet, pastaj ia dha në paqe shpirtin e tij Zotit.




Mbrapa

PayPal