I lindur në vitin 1547, në ishullin Zakintho, në një familje besimtare të shquar, shën Dionisi shfaqi që në fëmijëri një inteligjencë të thellë dhe predispozita të forta për jetën shpirtërore. Për të kryer betejën e tij kundër botës, mishit dhe kundër djallit, ai hoqi dorë shpejt nga gjithçka që kishte vlerë për të dhe u bë murg në manastirin e ishujve Strofadhes, disa milje larg nga jugu i Zakinthit. Me gjithë moshën e tij të re, brenda një kohe të shkurtër, u bë model i virtytit dhe i respektimit të rregullave murgërore, madje edhe për vetë murgjit e sprovuar. Kreshmët e tij, agripnitë e përditshme gjatë pjesës më të madhe të natës, lutjet dhe meditimet e tij këmbëngulëse e bënë që të ngrihej në ofiqin e priftërisë.

Pas ca kohësh, ndërsa po kërkonte një anije për të shkuar në pelegrinazh në Vendet e Shenjta, kaloi nga Athina, ku kryepiskopi, i informuar për virtytet e tij, e detyroi të pranonte detyrën e episkopit të Egjinës. Duke lënë planet e tij dhe duke sakrifikuar dashurinë e tij për vetminë, për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë, murgu i përulur u ngjit në fronin episkopal dhe e udhëhoqi me urtësi e zell atëror grigjën e tij shpirtërore në shtigjet e Hirit. Meqë fama e tij po shtohej me kalimin e viteve, vendosi të jepte dorëheqjen për t’i shpëtuar lavdisë së kotë dhe shpërqendrimit në botë. Në vitin 1579 u kthye përsëri në atdhe. Me urdhër të patriarkut të Konstandinopojës, ai zëvendësoi për disa kohë episkopin e ndjerë të Zakinthit, pastaj, sapo u zgjodh zëvendësuesi i tij, u kthye me nxitim në lartësitë e ishullit, në manastirin e Nënës së Zotit, Anafonitria, ku u bë atë shpirtëror. Duke qenë përsëri vetëm me Perëndinë, ai rifilloi me vrullin e rinisë së tij kreshmën, asketizmin dhe lutjen. Nuk linte askënd të hynte në qelinë e tij, nga ku ai dilte vetëm për t’u shpërndarë lëmoshë të varfërve ose për t’u dhuruar nxënësve mësimin e ndriçuar.

Shkëlqente mbi të gjithë me dashurinë për të afërmin dhe me butësinë që e karakterizonte. Një ditë vrasësi i vëllait të tij, që po ndiqej nga xhandarët dhe nga të afërmit e viktimës, mbërriti deri në manastir dhe i kërkoi strehë shën Dhionisit, pa e ditur se kush ishte. Duke mësuar shkakun e arratisjes së tij dhe se kush ishte viktima, njeriu i Perëndisë përmbajti brenda vetes të gjithë dhimbjen e natyrës dhe tundimin për t’u hakmarrë. Duke imituar Krishtin, që fali armiqtë e Tij dhe që u lut për persekutorët, ai shkoi drejt tij me shumë dhembshuri, e ngushëlloi, e nxiti të pendohej dhe e fshehu në një qeli që nuk binte shumë në sy.

Kur ndjekësit mbërritën në manastir, ata i bënë të ditur shenjtorit vrasjen e tmerrshme të të vëllait për të cilin u shtir sikur nuk dinte gjë dhe u përpoq t’i qetësonte e t’u largonte dëshirën për hakmarrje me fjalë paqeje. Sapo grumbulli i njerëzve u largua, ai nxori vrasësin, që ishte paralizuar nga tmerri përpara atij shembulli të një mirësie të jashtëzakonshme përmbinjerëzore dhe e la të lirë të shkonte që të punonte për shpëtimin e shpirtit të tij, pasi i dha edhe shumë ushqime për t’i marrë me vete.

I pajisur me virtyte kaq të larta, Dionisi mori nga Perëndia pushtetin për të kryer mrekulli. Një ditë kur po binte një rrebesh i madh, ai ndaloi rrjedhën e lumit që ishte fryrë nga vërshimi i ujërave, për të kaluar nëpër të së bashku me nxënësin e tij. Kur trupi i një gruaje të vdekur që ndodhej nën mallkim, nuk mundej dot të dekompozohej, Dhionisi urdhëroi të hapej varri i saj dhe i bëri lutjen e faljes. Menjëherë pas kësaj, në sytë e të gjithëve, trupi u bë pluhur sipas rregullit të natyrës. Me anë të fuqisë së lutjes së tij, ai u dha rast shumë peshkatarëve të pafat, që blasfemonin kundër Perëndisë dhe kundër shërbëtorit të Tij, që të kishin një peshkim të mrekullueshëm dhe të pendoheshin për pabesinë e tyre. Perëndia e kishte pajisur kaq shumë me dhuratën e tejshikimit dhe të dallimit të zemrave, saqë ai u thoshte vetë besimtarëve më përpara mëkatet e tyre, të dukshme ose të fshehta, kur ata vinin për t’u rrëfyer tek ai.

Shenjtori mbërriti deri në moshën 75-vjeçare, duke përhapur rreth tij mrekulli të shumta, gëzim, paqe dhe dashuri për të gjithë. Ai e dha shpirtin te Perëndia më 17 dhjetor 1622, pasi më parë trupi iu mundua tej mase nga një sëmundje e dhimbshme dhe për shkak të viteve të shumta të asketizmit; ai ua kishte parathënë nxënësve të tij ditën e saktë të largimit nga kjo botë. Sipas dëshirës së tij, trupi iu çua në manastirin e Strofadheve për t’u varrosur, i shoqëruar nga lutjet dhe himnet e një numri të madh njerëzish. Pak kohë më vonë, pas shumë shfaqjeve të shenjtorit tek igumeni i manastirit dhe te vëllezërit e tjerë, u mor vendimi për ta hapur varrin e tij dhe atëherë ndodhi një mrekulli e madhe. Trupi i tij ishte i tëri i paprishur dhe lëshonte një aromë të mrekullueshme.

Pasi trupit i riveshën rrobën episkopale, e vendosën në narteksin e kishës, pastaj në vitin 1717, kur manastiri u shkatërrua nga piratët turq, e transferuan lipsanin e shenjtë në katedralen e Zakinthit, ku nderohet me shpresëtari të madhe nga të gjithë banorët e ishullit. Mrekullitë, shfaqjet dhe shenjat e shumëllojta me anë të të cilave shën Dionisi ka treguar deri më sot se është i gjallë, e kanë bërë që të quhet shenjtori mbrojtës i Zakinthit.




Mbrapa

PayPal