Gjatë persekutimit të Maksimianit, shtatë gra të qytetit të Sebastës u nxorën para qeveritarit, i cili i kishte kritikuar që kishin tërhequr bashkëshortët e tyre në besimin e të krishterëve. Kur pa qëndresën dhe vendosmërinë e tyre para kërcënimeve, një nga xhelatët, i quajtur Irinark, i ndriçuar nga hiri hyjnor, rrëfeu Krishtin dhe deklaroi se ishte gati për martirizim.

7 gratë i sollën në brigjet e liqenit ku u martirizuan 40 martirët (9 mars), por ato nuk pranuan t’u sakrifikonin idhujve dhe ua rrëzuan statujat në ujë. Qeveritari i torturoi mizorisht dhe dha urdhër t’u prisnin kokat. Një grua kishte me vete dy fëmijët e saj, të cilët i kërkuan t’i dorëzonte në duart e shën Irinarkut, para se t’i ofroheshin vdekjes.

Pas vrasjes së grave të shenjta edhe Irinarkut i kërkuan që t’u sakrifikonte idhujve. Meqë ai po tallej me pafuqinë e tiranit, e hodhën në liqen. Por uji u ngurtësua menjëherë dhe 68 ushtarë, që shkuan ta kapnin në mes të liqenit, u përpinë nga ujërat. Me nxitjen e një engjëlli, Irinarku u kthye në breg, ku u pagëzua nga prifti Akak. U kap përsëri dhe, pasi dëboi demonët që banonin në një tempull pagan, shenjtin e dënuan të vdiste në zjarr. Ai hyri vetë në furrën e zjarrtë bashkë me prift Akakin, kur erdhën me gatishmëri edhe të dy fëmijët, që t’ia ofronin jetën e tyre Krishtit.

Në mes të furrës, Irinarku dhe Akaki iu lutën Zotit për besimtarët që do të nderonin kujtimin e tyre. Më pas xhelatët i nxorën dhe u prenë kokat. Një grua e shenjtë mblodhi lipsanet e tyre dhe i varrosi pranë liqenit. Më vonë në atë vend u ndërtua një kishë për nder të tyre.





Mbrapa

PayPal