
Angjeli ishte një i krishterë i devotshëm nga Argosi i Peloponezit dhe ushtronte zanatin e mjekut në Kusadashi, afër Efesit, në fillim të shekullit të 19-të. Një ditë ai hyri në debat rreth besimit me një udhëtar francez, mungesa e shpresëtarisë së të cilit e zemëroi shumë dhe për këtë arsye e thirri në një duel. Këtë gjë e bëri për t’i treguar blasfemuesit fuqinë që besimi i vërtetë u fal të krishterëve dhe prandaj në duel shkoi i armatosur vetëm me një shkop. Kur u takuan atë natë, francezi, duke parë guximin e shenjtë të shërbëtorit të Perëndisë, u pushtua nga një frikë e madhe dhe u kthye pas, e si pasojë Angjeli u shpall fitues. Pas kësaj ngjarjeje, Angjeli vendosi të braktiste profesionin e tij dhe të gjitha lidhjet me botën dhe të qëndronte në shtëpinë e tij, për t’ia përkushtuar veten tërësisht Perëndisë.
Por të Shtunën e Llazarit të vitit 1813, ky njeri që ishte gati për të derdhur gjakun e tij për Krishtin, e mohoi fenë e tij pa pasur asnjë shkak, thjesht me iniciativën e tij. Ai u largua nga qyteti i Nafplios dhe shkoi si i huaj në Hios, ku erdhi në vete dhe nisi të pendohej duke thirrur në ndihmë të gjithë konfesorët dhe martirët e shenjtë të besimit. Nga ky çast përkujdesja e tij e vetme ishte të gjente një mundësi për të ndrequr apostazinë e tij me anë të derdhjes së gjakut. Ai shkoi në një doganë dhe faqeza ushtarëve dhe oficerëve turq shpalli me zë të lartë se ishte një i krishterë që po kthehej në fenë e të parëve të tij. Shenjtorin e torturuan dhe e rrahën mizorisht para se ta çonin në fortesë, ku i prenë kokën më 3 dhjetor 1813.
Mbrapa
